Maria Sharapova vuri në dukje, se do t’ia lejë tenisit që t’i japë përgjigje tenistes Juxhini Bushar në ndeshjen e raundit të dytë të turneut të mjeshtrave në Madrid. Bushari është një nga kritiket më të zëshme të Sharapovës, duke e quajtur atë, madje, edhe “mashtruese” dhe duke theksuar se dënimi i tenistes ruse prej 15 muajsh ka qenë shumë i butë dhe se ajo duhej të ishte dënuar që të mos t’i afrohej përjetësisht fushës së tenisit, për shkak të përdorimit nga Sharapova të substancës së ndaluar, meldoniumit. Sidoqoftë, Sharapova, 30 vjeçe, ka aq përvojë në tenisin profesionist që t’u japë përgjigje të matura dhe diplomatike kritikeve të saj, duke treguar kështu se ajo di ta përballojë presionin që ushtrohet ndaj saj në opinionin publik.
Ajo, pasi tha se e kishte fituar turneun e Uimbëlldonit, kur ishte vetëm 17 vjeçe, deklaroi: “Unë ndodhem në qendër të vëmendjes së opinionit publik, qëkur kam qenë një vajzë e vogël. Kam dëgjuar shumë gjëra për veten. Nëse ato që kam dëgjuar, do të ndikonin te loja dhe forma ime, unë do ta kisha pasur shumë të vështirë. Tenisi im është përgjigja që unë u jap të gjithëve dhe, tani, unë jam përqendruar te tenisi që luaj”, vuri në dukje Sharapova që i ka fituar të gjitha të katër ndeshjet që ka zhvilluar, deri tani, me Busharin dhe, në rast, se do të fitojë edhe këtë të ardhshmen, Maria do të mund t’i afrohet vendit që do t’i sigurojë asaj kualifikimin për në turneun e Uimbëlldonit (qershor), pa qenë nevoja që të marrë “Ëild Card” (ftesë të veçantë).
sfidanti.al