Mbas dominimit të Juventusit ndaj Monakos në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, duke e nxjerrë atë jashtë loje me rezultatin e përgjithshëm 4-1, duket se ky ekip torinez është në gjendje që edhe, në ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve, në Kardif, të ofrojë një performancë tjetër të shkëlqyer dhe, ndoshta, të arrijë që ta zotërojë trofeun aq të çmuar. Paraqitja mjaft dinjitoze e “zonjës së vjetër”, në sezonin e deritanishëm të kësaj Lige, ka bërë që shumëkush të konsideroi se Juventusi është favoriti kryesor për titullin e kampionit në konkurrimin më elitar midis klubeve në Evropë.
Dhe, me të vërtetë, është plotësisht e mundur që Juventusi me mbrojtjen e tij të fortë dhe sulmin e rrjedhshëm ta sjellë trofeun në Torino, për herë të parë që nga viti i largët 1996. Staticieni sportiv legjendar spanjoll, “Mister Cip”, prezantoi një fakt mjaft interesant që flet në favor të ekipit italian. Kështu, pikërisht, qëkur Milani i Arigo Sakut fitoi Kupën e Evropës, më 1989, një ekip italian e ka fituar çdo shtatë vite trofeun e Ligës së Kampioneve! Kështu, më 1989, këtë trofe e fitoi Milani, më 1996 atë e fitoi Juventusi, më 2003, përsëri Milani, ndërsa Interi ngriti atë lart më 2010.
Koincidencë ose jo, kjo statistikë interesante sugjeron se shtatë vite, pasi titulli i kampionit të Evropës i shkoi Interit, tani e ka radhën “zonja e vjetër” që të hipë në majë të Evropës futbollistike. Më 3 qershor, Juventusi do të ndeshet me ekipin fitues në ndeshjen që luhet, në mbrëmje, mes Atletikos dhe Realit të Madridit që ndeshjen e parë e ka fituar 3-0.
Sfidanti.al