Murinjo, edhe pse humbet, përse gëzon përmes ironisë

Arsenali fitoi, me meritë, 2-0 në ndeshjen e fundit të Premier Ligës ndaj Mançester Junajtidit, por trajneri i këtij të fundit, Zhoze Murinjo, pavarësisht nga humbja dhe megjithëse thotë se e ka mik trajnerin e “topçinjve”, Arsen Venger, nuk la pa i ikë rasti që të lëshonte disa thumbime në adresë të Vengerit dhe tifozëve të Arsenalit, duke pasur parasysh se kjo fitore është e para mbas 13 ndeshjesh, ku përballë janë vënë Murinjo dhe Vengeri.

“Më vjen mirë që ata, më në fund, po largohen të gëzuar, pasi, më parë, ata, gjithnjë, janë larguar nga ‘Hajberi’ ose ‘Emirati’, duke qarë dhe duke u ankuar. Kështu që edhe unë jam i gëzuar që ata janë të gëzuar, sepse ata kishin kohë pa u gëzuar!”, tha strategu portugez mbas ndeshjes mes Arsenalit dhe ManU-së. “Sot, ata po largohen të gëzuar, duke kënduar dhe duke tundur flamujt e shallat e tyre. Mendoni ju se unë gëzohem, kur ky ekip i madh nuk fiton trofe, jo, e keni gabim, nuk gëzohem. Arsen Vengeri nuk është trajner i vogël, ai është një trajner i madh. Fakti që unë kisha një seri të gjatë ndeshjesh pa u mundur nga ai, nuk ishte diçka normale. Normale është të fitosh, të humbasësh ose të barazosh”, tha Murinjo.

Sfidanti.al