Juventusi në Kardif, është finalja e Dani Alveshit!

Dani Alvesh sërish shërbeu asist, por edhe shënoi gol këtë herë, dhe Juventusi e realizoi atë që ishte fare pranë, kalimin për në finalen e Ligës së Kampionëve. Pasi kaloi pengesën e quajtur “Monako”, kampionia e Italisë do të presë në stadiumin “Milenium” të Kardifit në Uells, fituesen e derbit të Madridit, me shumë gjasë Realin. Ishte ish-mbrojtësi i Barcelonës më i miri lojtar në fushë duke shërbyer për golin e shënuar nga Mario Manxhukiç në minutën e 33-të, ashtu siç shërbeu dy herë Gonzalo Higuainin në ndeshjen e parë në Montekarlo (2-0). Ndryshimi ishte se në Torino, Dani Alvesh vendosi të shënonte edhe vetë, me një gjuajtje në ajër nga 25 metra larg, pak përpara fundit të pjesës së parë.

Juventusi i Alegrit u kualifikua pas rezultatit të përgjithshëm 4-1, një sukses i merituar ndaj një kundërshtari të fortë që kishte eleminuar rrugës Mançester Sitin dhe Dortmundin. Vetë juventinët mund të mburren se bashkë me Porton dhe Monakon kanë mposhtur edhe emrin e madh, Barcelonën, madje duke mos pësuar asnjë gol. Një rrjetë më në fund e lejuan, por nuk mund të ketë asnjë turp këtu, pasi shënues ishte një nga talentet më të mëdhenj të Europës, Kilian Mbape.

Liga e Kampionëve mbetet një trofe shumë i dëshiruar për një klub që e ka pasur shpesh shumë pranë, por që e ka humbur më shumë herë sesa e ka fituar. Në 1973, 1983, 1997, 1998, 2003 e 2015 kanë qenë finalet e humbura, ndërsa sukseset në 1996 dhe në finalen e falur ndaj Liverpulit në 1985, pas tragjedisë së “Hejselit”.

Sfidanti.al