Nuk është hera e parë që Tirana humbet Derbin, madje mund të thuhet se po rrezikon të kategorizohet si në filmat për të cilët thuhet se “ e kam parë një herë dhe e di se çfarë do të ndodhë në fund”. Por, këtë herë ishte ndryshe, aq sa besuam se kishte ndryshim skenari, ku Tirana kishte flakur rolin e viktimës, të cilën e qau me lot një javë më parë, dhe kishte guxuar të merrte, pa leje, rolin e heroit, që lufton për të rifituar nderin e humbur dhe pikët e mbijeteses. Fati i ka dënuar dhe kjo është e vërteta e madhe e pranuar nga të gjithë. Në serialin e derbit nuk kishte ndodhur më parë që, për humbësin të flitej sikur tëishte fitues, ndërsa për fituesin e pikëve, sikur të ishte një humbës moral.
Të gjithë e dimë mirë leksionin se futbolli është një lojë e paqëndrueshme, madje kjo theksohet më shumë në kampionatet lilipute, ku bën pjesë edhe ky i yni, por ajo që nuk dimë dhe s’duam të kuptojmë është se zemra duhet të pulsojë çdo ndeshje njëlloj. Askush nuk do të habitej nëse do të kishte fituar Tirana të premten, habia më e madhe do të ishte gjetkë, atje ku do të thonin se shpirti i lojës mund komandohet me buton dhe humbjet e fitoret mund të shërbehen edhe si pica. Ndaj ia vlen t’i kujtojmë fjalët depërtuese të trajnerit Starova, të cilat dogjën edhe më shumë se goli i Xhevairit: “ Si mund t’i thuash futbollistëve se këtë ndeshje do ta tolerojmë, kurse këtë tjetrën do ta fitojmë..”
Fjalët e Sulejmanit, të pamadhërishëm në këtë ndeshje, janë të vërteta, veçse në një futboll që i prodhon zyrtarisht marifetet për të ndezur dhe fikur garën, nuk mund të thuhet me dorë në zemër se fati ka “veshur” fanellën e kuqe.Dhe vetëm e vetëm për të ndëshkuar Tiranën. A kemi të drejtë morale të flasim vetëm për fatin, i cili na paska marrë peng këtë ndeshje, kur bardheblutë hynin dhe dilnin tek mbrojtja e Partizanit, pa e ditur se po shijonin një bamirësi të tepruar nga një rival për titull. Një rival që ka zotësinë që fiton edhe kur duket shumë larg fitores, duke treguar se jo çdo ndeshje fitohet me prepotencë demash, me futboll të hapur, por ka edhe “vjedhje” që nuk dënohen publikisht, sidomos kur flitet për t’u kthyer në fron pas më shumë se 20 vitesh. Në 5 javët e fundit, ato që këshillohet trinitrina për të ruajtur zemren, mos qofshim të gabuar, do të flitet shumë më pak për fatin, sepse në lojën tonë nuk është e zakonshme ta rrotullojmë topin lirshëm, pa patur frikën të marrë ndonjë ..gozhdë.
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport