Reali heroik i Zidanit, 20 golat në fund, mund t’i japin titullin!

Në 33 ndeshje ka shënuar jo pak, por 92 gola. Gjithsesi, ndryshe nga sa mund të mendohet Reali i Madridit do t’ia dedikonte titullin (nëse do ta fitonte), veçanërisht minutave të fundit. Statistikat flasin qartë dhe u nxitën nga mrekullia e Marselos që siguroi fitoren ndaj Valencias në 86’. Madridi ka shënuar plot 20 gola në 10 minutat e fundit, ose më saktë pas minutës së 80-të. Ky karakter i fortë i ka dhënë 17 pikë, që ndryshe nuk do t’i kishte pasur dhe titulli do të kishte qenë tani, qetësisht, në duart e Barcelonës.

Nëse Reali i Benhakerit jepte spektakël duke përmbysur në “Bernabeu” edhe humbjet më të rënda, ekipi i Zidanit jep emocione të forta duke i zgjidhur ndeshjet në favor, pikërisht në fund. Kundër Valencias, madrilenët e nisën mirë me golin e Ronaldos në 27’, por pas pushimit Ronaldo humbi penallti dhe Dani Pareho barazoi në 82’ me goditje dënimi. U desh goli i Marselos për të shpëtuar fitoren.

Sfidanti.al