Sëlltiku fiton derbin në fushën e Rejnxhërsit, duke e turpëruar!

Derbi i Gllazgout prej disa vjetësh ka vetëm një “pronar”, Sëlltikun. Me zbritjen e Rejnxhërsit në kategorinë e katërt pas problemeve me borxhet, klubi i madh nuk ka mundur të ngrejë kokë, ndonëse u kthye në elitë aq shpejt sa e lejonin rregullat. Pasditen e djeshme u luajt përballja e radhës, e 408-ta në total dhe e 309-ta në kampionatin skocez. Sëlltiku nuk pyeti hiç se ishte në stadiumin e Rejnxhërsit, “Ajbroks Park”, në prani të rreth 40 apo 50 mijë tifozëve, por mori një nga fitoret më të thella në histori, 5-1.

Skot Sinkler shënoi që në minutën e 7-të, Leig Grifits dyfishoi avantazhin në 18’, dhe me rezultatin 2-0 u mbyll pjesa e parë. Në të dytën, Kallëm Mekgregor shënoi golin e tretë në 52’ dhe Dedrik Bojata të katërtin në 66’. Keni Miler shënoi golin e ngushëllimit për vendasit në minutën e 81-të, por Mikael Lustig vulosi shifrat 5-1 në 87’.

Sëlltiku kryeson Premier Ligën skoceze me 94 pikë nga 102 të mundshme, duke mos pasur asnjë humbje, por vetëm 4 barazime. Aberdini e ndjek me 67 pikë, ndërsa Rejnxhërs vetëm 58. Sëlltiku pritet të marrë titullin e 49-të në histori, dhe t’i afrohet edhe më shumë rekordit të Rejnxhërsit me 54 kampionate të fituar.

Sfidanti.alselltik rejnxhers1