Barcelona e mund përsëri 3-2 Realin, por me veteranët

Mbrëmjen e kaluar, në Bejrut, temë qëndrore në opinionin publik sportiv ishte ndeshja miqësore “El Klasiko” që luajtën mes tyre futbollistët legjendarë të Barcelonës dhe të Realit të Madridit dhe, megjithëse qëllimi kryesor i kësaj ndeshjeje ishte krejtësisht human dhe ajo  u zhvillua me një frymë, me të vërtetë, sportive, ish-yjet e futbollit botëror ofruan disa lëvizje të paharrueshme në fushë që nuk mund të mbesnin të pashënuara.

“Fajtori” kryesor ishte, edhe kësaj here, mjeshtri i papërsëritshëm i topit, braziliani Ronaldinjo, që dha tre asistenca, duke kontribuar në fitoren 3-2 të Barcelonës, por, sidoqoftë, një nga këto asistenca tërhoqi vëmendjen e madhe të tifozëve, duke na kujtuar një veprim të ngjashëm të tij në vitin 2006, me saktë, në ndeshjen gjysmëfinale mes Milanit dhe Barcelonës. Atëkohë, performancën fantastike e realizuan në “San Siro” Ronaldinjo dhe Zhili dhe të njëjtën performancë ata realizuan dje, edhe një herë tjetër, pikërisht, këta dy “aktorë”, duke kopjuar golin që shënoi, atëherë, Zhili. Madje kombinimi i djeshëm ishte edhe më i bukur. Nuk sheh përditë shfaqje të tilla, kur virtuozi brazilian jep një asist pa e parë fare lojtarin, të cilit i pason, në rastin konkret, Zhilit, ndërsa ky lojtar francez e përfundoi aksionin me një stil të klasit të lartë.

sfidanti.al