Lajmërimi zyrtar do të jepet vetëm në verë, por Isko ka rënë dakord me Realin për të rinovuar kontratën. Mediat madrilene shkruajnë se gjithçka është e përfunduar dhe sqarojnë se futbollisti i talentuar do të jetë nën kontratë në “Bernabeu” deri në 2022. Klubi ia kishte premtuar dyfishimin e rrogës që në dhjetor, dhe në bazë të kontratës së re, Isko do të fitojë 6 milionë euro në sezon, duke qenë i shtati lojtar më i paguar i Realit, pas Ronaldos, Bejlit, Ramosit, Krosit, Modriçit dhe Benzemasë.
Konfirmimi i Iskos, sipas gazetës “Marka” do të thotë “dënim” për t’u larguar për Hames Rodrigezin. Kolumbiani tepër i talentuar, por jo edhe po aq i qendrueshëm, nuk shihet me sy të mirë nga trajneri Zidan dhe besohet se do të largohet. “Hames me një këmbë e gjysmë jashtë”, titullon “Marka”, ndërsa e shoqja e Rodrigezit, Daniela Ospina, thotë se “im shoq dëshiron të vazhdojë tek Reali”.
Së fundi, De Gea. Pavarësisht pritjeve të rëndësishme të Kejlor Navasit ndaj Barcelonës, në “Bernabeu” janë të bindur se skuadra ka nevojë për një portier të një profili më të lartë. Ky pritet të jetë De Gea, dhe transferimi nga Mançester Junajtidi mund të bëhet këtë verë. Mediat spanjolle shkruajnë se edhe Murinjo ka rënë dakord, ndërsa pritet që Reali të thyejë rekordin e Bufonit në transferimin e një portieri, nga 50 milionë euro në gati 70-75 milionë.
Sfidanti.al