Kur flitet për Partizanin, demonët zyrtarë ndalojnë edhe avionin për të ndëshkuar fajtorin që ka “ndihmuar” demin për të vrarë toreadorin. Fjala është për arbitrin e FIFa-s, Lorenc Jemini, i cili u nis për në Luksemburg dhe nuk arriti dot, pasi e urdhëruan të “hidhej me parashutë” ngaqë ishte dënuar në qiell për një mëkat në tokë. Një pasagjer me stëmë u flak sa happ e mbyll sytë dhe në vend të tij u shfaq Enea Jorgji, një tjetër personazh me temë në gjoks, për të cilin thuhet se edhe kur gabon, nuk shkon më larg se kufiri i gabimeve njerëzore. Përse ky ndëshkim spektakolar për Jeminin, arbitrin me të cilin shefat u dashuruan aq shumë në sezonet e kaluara, sa një ditë nuk lanë gur pa lëvizuar që shqiptari të ngjitej në altarin e futbollit duke gjykuar Spanjën në një ndeshje miqësore me Bolivinë. Sipas ekspertizës gjurmuese në mjediset e Federatës, Lorenci paska mëkatuar me Partizanin, pikërisht ekipin që ka fituar me meritë “titullin” si ekipi më i urryer i sezonit , për një mosbindje kampione..
Ka gabuar në tokë dhe dënimi është ngjitur deri në qiell për arbitrin që guxoi t’i jap ujë armikut pa lejen e komandantit.Dhe me çfarë naiviteti ? Në një kampionat ku fotografia e Partizanit dhe e presidentit Demi është përhapur me diçiturën “ të padëshiruarit për kampion”, një tjetër njëri me përvojë, Sokol Jareci, një ish-arbitër i FIFA-s, ka bërë vetëvresje të klasit të lartë në maviolë. Me kokën e tij, pa pyetur fare se çfarë mendon koka e madhe, Jareci paska tradhëtuar idealin e familjes së maviolistëve kur ka thënë: ” Partizanit nuk iu dhanë dy penallti në ndeshjen në Shkodër me Vllazninë!” Një frazë që u dëgjua si vetëtimë në qiell të pastër, një frazë që shkaktoi dhimbje koke, saqë nuk besonin se fjalët kishin dalë nga goja e Jarecit. Bile një nga maviolistët, Pregja apo Janku nuk dihet tamam, kishte nxituar të gjente shkakun : “ Do ta kenë helmuar Kolin..” Nuk dihet se si është e vërteta, por dihet një gjë tjetër, tejet shqiptare, Jareci nuk ushfaq në maviolë këtë javë. Ia morën “armën” në momentet më të ndezura të luftës për titullin dhe shkaktari nuk mund të quhet ndryshe, veçse ..Partizani. Një ekip i çuditshëm që kërkon ta deformojë lojën me top në një lojë me ..”koka”.
Sfidanti.al