Egnatia, Ballkani, Struga dhe Deçiq janë katër skuadrat shqiptare kampione që do të marrin pjesë në fazën e parë të kualifikueseve të Champions League. Kampionët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi do të synojnë që të kenë një rrugëtim sa më të gjatë në arenën ndërkombëtare. Ballkani ka shkruar historinë në dy edicionet e fundit, duke u bërë e para skuadër dardane që merr pjesë në fazën e grupeve të Conference League. Falë paraqitjeve të këtyre dy viteve, “armata” e Ilir Dajës ka grumbulluar pikët e mjaftueshme për t’u renditur në vazon e skuadrave favorite në turin e parë të Championsit. E thënë më thjeshtë, skuadra nga Theranda në këtë raund do të ketë një kundërshtar në letër më inferior. E me pak fat mund të sigurojë kualifikimin aq shumë të dëshiruar. Por nuk mohohet që Ballkani të përballet me Egnatian, Strugën apo Deçiqin e Tuzit. Gjithsesi, edhe në vazon e dytë ka skuadra që janë jo pak të rrezikshme. Pavarësisht se kampionët e Kosovës tashmë kanë krijuar eksperiencë në Europë. Tri ekipet e tjera shqiptare kampione ndodhen në vazon e skuadrave jo favorite. Në shortin që do të hidhet në datën 18 qershor. Disa nga skuadrat më të forta që e nisin rrugëtimin e tyre në raundin e parë të Champions janë Ferencvaros (Hungari), Steaua (Rumani) dhe Ludogorets (Bullgari). Gjithsesi, Egnatia, Struga dhe Deçiq me pak fat mund të kapin dhe kundërshtarë që mund të jenë të kalueshëm.
sfidanti.al