Xavi beson ende te titulli kampion

Trajneri i ekipit të futbollit Barcelona, Xavi Hernandez, ka thënë të shtunën se është i bindur që ekipi i tij mund të mbrojë titullin e ligës, pavarësisht negativitetit në klub. Katalanët e kanë fituar La Ligën sezonin e kaluar, mirëpo tani janë në pozitën e katërt, tetë pikë mbrapa liderëve të Gironas dhe shtatë pikë larg Real Madridit, që është në vendin e dytë.Barcelona përballet me ekipin Real Betis të dielën, dhe më pas me ekipin Athletic Bilbao në çerekfinalen e Copa del Rey. Pasi Real Madridi e ka mposhtur Barcelonën në të dielën e kaluar, në finalen e Super Kupës spanjolle, ekipi i Xavit është përballur me kritika të ashpra. “Ne jemi optimistë, ne e dimë që mund t’i arrijmë këto shtatë apo tetë pikë”, ka thënë ai në një konferencë për media. “Nesër do të tentojnë të luajmë futbollin tonë, të përdorim idenë tonë të lojës, e kemi edhe një pjesë të dytë të sezonit dhe kemi ende shpresë”. Ai e ka pranuar që ekipi i tij duhet të shtrëngohet për t’i shfrytëzuar mundësitë, mirëpo ka insistuar se beson që mund të triumfojë këtë sezon.

sfidanti.al