Vllaznia vazhdon të fitojë dhe këtë e bën me cinizëm e tashmë Tirana është e kërcënuar në vendin e tretë të klasifikimit të Kategorisë Superiore. Shkodranët duken të rilindur dhe këtë e treguan edhe në Rrogozhinë kundër Erzenit që nuk arrin të shkëputet nga orbita e zonës së ftohtë. Goli i Stojanovic në minutën e 86 tregon limitet jo vetëm sportive por edhe psikologjike të Vllaznisë që është përmirësuar ndjeshëm në këtë aspekt pasi emrat nuk i kanë munguar asnjëherë gjatë viteve të fundit. Luhatjet e mëdha shkaktonin edhe probleme e madje humbën edhe titullin e tre viteve më parë kur kuqeblutë ishin në kryesim gjatë pjesës më të madhe të sezonit.
Qatip Osmani e ka kuptuar me shpejtësi se ku qndrnte problemi dhe ka përveshur menjëherë mëngët e mesa duket ia ka dalë mbanë t’i lidhë në mënyrën e duhur ato dy fije që bënin një qark të shkurtër duke djegur gjithçka të mirë në kampin shkodran. Vllaznia sot nuk e diskuton finalen e majit në Tiranë por me këtë hap mund të pretendojë ndoshta diçka më shumë edhe pse pikët e lëna në pjesën e parë të sezonit e kompromentojnë misionin për t’u ngjitur më lart se vendi i tretë.
Nga Pirro Bardhyli