Skënderbeu nuk do të luftojë për mbijetesën ndërsa Vllaznia do të përjetojë një sezon tjetër me shumë pasiguri. Janë këto përgjigjet e fundit që na dha java e 13 e Kategorisë Superiore ku shkodranët humbën një mundësi tjetër për t’u rikthyer në vallen katërshe të skuadrave më të mira ndërsa Laçi ruajti status quo-në e këtij sezoni ku nuk është një skuadër pretendente por një grup që mund t’i prishë punë kujtdo.
Në këtë mënyrë, Vllaznia duhet të bëjë llogaritë me një sezon poshtë pritshmërive dhe të ridimensionojë gjithashtu objektivat. Një përgjigje tjetër e morëm nga Korça me Skënderbeun që u rikthye fuqishëm pasi karikoi bateritë në pushimin e kombëtareve. Korçarët mundën pa shumë vështirësi Teutën që këtë sezon duket se është në telashe të vërteta, ndërsa as “magjitë” e Edi Martinit duket se nuk po funksionojnë më në Durrës.
sfidanti.al