Pas kritikave të ashpra në Çmimin e Madh në Las Vegas, ku pista qytetase kishte shumë probleme, Max Verstappen ankohet pranë FIA-s për numrin e madh të garave që zhvillohen në cirkuitet qytetase, garat e sprintit dhe kalendarin e Formula 1: “Pistat e vërteta janë gjithmonë më argëtueset për të garuar”, ka thënë holandezi në një intervistë për The Telegraf.
“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan për cirkuitet qytetase, por në fund të fundit, ato nuk janë vendet ku mund të garojë një makinë e Formula 1. Këtë ia kam thënë edhe Stefano Domenicalit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që drejtuesit të flasin për nevojën e të garuarit normalisht në pistat e përcaktuara për gara, ndaj nuk duhet të mendojnë vetëm për spektaklin e jashtëm. Ne duhet të fokusohemi vetëm te sporti”.
Tashmë në fund të sezonit të Formula 1, Max Verstappen paralajmëroi se ai mund të largohej nga ky sport, nëse drejtuesit e FIA-s do të vazhdonin të bënin shumë ndryshime në fundjavat e garave që “nuk ishin në ADN-në e Formula 1”.
Verstappen konfirmoi se ishte gati të thoshte lamtumirë sepse situata po bëhet e paqëndrueshme: “Patjetër që do të largohem. Ka shumë gjëra të tjera për t’u marrë në jetë, nuk ka vetëm F1. Befas një ditë zgjohesh dhe mendon se dëshiron të bësh diçka tjetër. Nuk ka të bëjë vetëm nëse ke një makinë fituese apo jo, ka të bëjë me cilësinë e jetës në përgjithësi, sepse po udhëtojmë shumë, pasi ka shumë gara në kalendar”.
sfidanti.al