E hëna ka sjellë një tjetër derbi shqiptar në Serinë A, teksa Frosinone ka marrë një fitore 2-1 ndaj Empolit, aty ku golat spektakolarë të Marvin Çunit dhe Arijon Ibrahimoviçit gjunjëzuan Empolin e Etrit Berishës, Adrijan Ismajlit dhe Stiven Shpendit, me këtë të fundit që ishte në stol. Kështu, Marvin Çuni ka shënuar golin e parë në Seria A dhe do jetë një gol që do të mbetet gjithnjë në kujtesën e sulmuesit të Kombëtares shqiptare për vetë mënyrën e realizimit. Krosimin e 17-vjeçarit Arijon Ibrahimoviçit, 22-vjeçari e dërgoi zgjuarsisht në rrjetë me thembër, duke mposhtur portierin Etrit Berisha në minutën e 58-të.
Sulmuesi kuqezi ka qenë një nga më të mirët në fushë, ku padyshim së bashku me sulmuesin me origjinë shqiptare, por me pasaportë gjermane, Ibrahimoviç, përbënin rrezik permanent për portën e Berishës. Seria A ka gjetur Ibrahimoviçin e ri, pasi 17-vjeçari me pasaportë gjermane dha pasim për Çunin dhe shënoi vetë një gol 16 minuta më pas.
Në minutën e 86-të Kaputo shënoi për Empolin dhe dy minuta më vonë ai barazoi rezultatin, por goli u anulua për pozicion jashtëloje. Falë këtyre 3 pikëve, skuadra e Frosinones ngjitet në kuotën e 15 pikëve duke u pozicionuar kështu në vendin e 11-të të renditjes, një pikë më pak se Lacios, ndërsa Empoli mbetet në vendin e 19-të, me vetëm 7 pikë, pas 11 javëve të para të këtij sezoni.
STATISTIKA
- Arijon Ibrahimovic, në ndeshjen e parë si titullar në Serinë A, është lojtari më i ri që ka shënuar dhe asistuar në të njëjtën ndeshje në pesë ligat e mëdha evropiane këtë sezon (dhjetor 2005).
- Marvin Çuni shënoi golin e tij të parë në Serinë A me goditjen e tij të parë në portë në kompeticion, i gjashti në total.
- Arijon Ibrahimovic (dhjetor 2005) është lojtari më i ri që ka kontribuar në të paktën dy gola në këtë Serie A, vetëm Eli Junior Kroupi (Lorient, 2006) dhe Ëarren Zaire-Emery (Psg, 2006) kanë qenë të përfshirë në më shumë gola mes lojtarëve të lindur pas tij në pesë ligat kryesore evropiane.
- Me golat e Marvin Çunit dhe Arijon Ibrahimovic, Frosinone ka shënuar me 11 lojtarë të ndryshëm në këtë Seri A, asnjë skuadër nuk ka bërë më mirë (11, si Roma).
- Frosinone është skuadra që ka shënuar më shumë me lojtarë të lindur pas vitit 2000 në këtë Serie A, gjashtë; përveç Çunit (2001) dhe Ibrahimovic (2005) janë edhe Brescianini (2000), Ilario Monterisi (2001), Reinier (2002) dhe Matías Soulé (2003).
sfidanti.al