Pyetje për trajnerët: Doni më shumë futbollin apo presidentët?

Sa më shumë shkarkohen  trajnerët nga ekipet në  Superligë, aq më e madhe bëhet dashuria e tyre për ..presidentët!  Dhe shqiptarë apo të huaj qofshin, sikur janë shkrirë  bashkë, kanë një “pasaportë”, fjalët e fundit që thonë ..ia dedikojnë dashurisë për presidentin! Kuptohet, fjalë zemre, që edhe vetë futbolli … do t’i lëshonte goja lëng!

Kushedi sa koka trajnerësh do të “hajë” kjo Superliga e këtij sezoni,  e cila  ka nisur me “gijotinë” qysh nga  java e parë dhe gati çdo javë tehu i saj  bëhet gati për tjetrin. Cili i ka radhën? Flitet për trajnerin Zekiç te Partizanit, që edhe pse vetë shfaqet në fushë,valixhet i ka nisur para…

Fjalët e tij tregojnë se orët janë të numëruara: “ Dua të them me sinqeritet , kam respekt të madh për Partizanin dhe për Gazin( presidentin) . Po largohem për arsye personale.  Në këto 4 muaj që e njoh presidentin , do të jetë në zemrën time gjithë jetën..”.

Si nuk u gjet një trajner xhanëm, që kur ikën të thotë se futbolli do të mbetet në zemrën e tij dhe  jo presidenti ? Apo ky brez trajnerësh , edhe pse më shumë shkarkohen sesa ngarkohen, ndryshe nga baballarët e dikurshëm të stolit, dashurinë për lojën e kanë konvertuar në dashuri për ..pronarin!

Sfidanti.al