Çfarëdo që të ndodhë sot me Çekinë, do të jetë një “mrekulli” sepse do të ndalen fjalët e lodhshme dhe parashikimet “ me këmbë në qiell” dhe do të flasin këmbët e futbollistëve. Trajneri Silvinjo na kujton edhe një herë leksionin që meritojmë të dëgjojmë në të tilla momente : “ Fiton ai që gabon më pak!” Më mirë të mos i kujtojmë harakirët! Por, a jemi të zotët që të gabojmë më pak se kundërshtari, kur laku sa vjen e shtrëngohet? Dhe më e bukura, litarin s’po na e shtrëngon kush, jemi vetë që kemi vënë kokën në gijotinë sepse “jetojmë” për t’u kualifikuar, me shumë se sa per te mesuar..
Sikur të fitojmë në Çeki, sikur të fitojmë edhe me Poloninë në Tiranë, sikur të kualifikohemi ! E gjithë kjo tollovitje ëndërrimtare, sepse na kujton atë anektodën e njohur me hallën se si mund të ishte bërë ..xhajë! Sa më shumë afron ora e ndeshjes me çekët, edhe ne nuk dorëzohemi, mbetemi me laps në dorë, ku llogaria e fundit është humbja. Na çon në qiell fitorja, na mban në tokë barazimi dhe …humbja , qoftë larg, nuk na varroska dot! Sepse do të mundim Poloninë , meqë nuk mundëm dot Çekinë…
Sfidanti.al