Kombëtarja kuqezi ka humbur edhe ndeshjen e dytë miqësore, atë ndaj Luksemburgut. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Air Albania” përfundoi me fitoren e miqve me rezultatin 0-1.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Sinani në minutën e 8-të të pjesës së parë, pas një pasi të ardhur nga krahu i majtë i sulmit.
Pjesa e parë u mbyll pa shumë raste nga kuqezinjtë e me më shumë rrezik nga Luksemburgu, që e vuri në jo pak raste në vështirësi portierin Sherri, i cili ishte lojtari më i mirë për ekipin tonë.
Edhe pse bëri disa zëvendësime në pjesën e dytë duke aktivizuar lojtarë të freskët nga stoli, trajneri Maran nuk arriti të gjente skemat e duhura për të çarë mbrojtjen mike.
Në minutën e 57-të Asllani tentoi të surprizonte portierin kundërshtar me një goditje nga gjysmëfusha, ndërsa në minutat 71 dhe 72 kuqezinjtë krijuan dy raste të mira me Taulant Seferin, fillimisht pas një goditjeje këndi dhe më pas me një goditje me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë. Gjithashtu më vonë kuqezinjtë provuan edhe me Pajazitin, por pa sukses.
Kështu Rolando Maran e ka nisur me dy humbje aventurën në drejtim të kuqezinjve.

