Uzuni shumë më pranë thyerjes së rekordit historik 70-vjeçar!

Hap pas hapi po i afrohet lavdisë. Myrto Uzuni tregoi sërish se është në formë të shkëlqyer, ndërsa me golin e 20-të në ligën e dytë të Spanjës është edhe më pranë rekordit historik. Sulmuesi kuqezi vjen në grumbullimin e kombëtares me besim të madh në vetvete, ndërsa rrjeta e tij ndihmoi Granadën të arrinte një fitore të rëndësishme në fushën e Albasetes. Futbollisti 26-vjeçar realizoi golin e parë dhe tashmë mallkimi i stadiumeve kundërshtare nuk ekziston më për të. Me 20 rrjeta deri tani, Uzuni është vetëm 5 gola larg rekordit të këtij kampionati, që e mban sulmuesi Rafa në sezonin 1955-1956 me 25.

Jo vetëm kaq, por shqiptari është tepër i shkëputur në garën për Këpucën e Artë, duke pasur gati dyfishin e realizimeve në krahasim me rivalin më të afërt që ka 12 gola. Ajo që dukej tepër e vështirë tashmë po arrihet, pasi edhe Uzuni është praktikisht shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë, por edhe Granada është shumë pranë ngjitjes direkte për në elitën e futbollit spanjoll duke pasur 58 pikë, në vendin e dytë të renditjes. Sulmuesi pritet të ndihmojë kombëtaren në ndeshjen e vështirë eliminatore të Europianit 2024 në Varshavë ndaj Polonisë.

Sfidanti.al