Rekordin e mbante gjithashtu një yll kuqezi. Gjithçka mbeti në familje sepse ka ndryshuar vetëm emri për rekordin e moshës së golshënuesve në Serinë A. Më parë, atë e mbante Alesandro Kostakurta që shënoi në moshën 41 vjet e 25 ditë me fanelën e Milanit, ndërsa tani e ka Zllatan Ibrahimoviç. Mbrëmja e 18 marsit 2023 do të mbahet mend sepse suedezi kaloi ish-qendërmbrojtësin italian. Legjenda suedeze realizoi për Milanin në stadiumin e Udinezes në moshën 41 vjeç e 166 ditë, pra 141 ditë më i vjetër sesa Kostakurta. Për më tepër, veterani pati edhe shiritin e kapitenit, një tjetër arritje historike për të. Gjithsesi, përveç rekordit asgjë tjetër nuk shkoi mirë, pasi Milani u mund 1-3 dhe rrezikon zonën Champions. Vetë Ibra nuk e fshehu mërzinë.
“Do të kishte qenë më mirë nëse do të kishim fituar ndeshjen, por nuk shkoi ashtu siç donim. Natyrisht, jam shumë krenar që u bëra kapiten i kësaj skuadre të madhe. Një moment i madh për mua, por nuk pata forcë për t’i shtyrë shokët drejt një rezultati pozitiv. Kjo nuk vlen nëse nuk fiton. Një zhgënjim i madh, ndoshta kjo skuadër nuk po arrin të luajë si kampione e Italisë. Duhet të reagojmë dhe kam besim se do ta bëjmë përsëri”. “Mbytet Milani (në Itali)”, ngre alarmin “La Gazeta delo Sporti”, ëndërr në Champions, makth në kampionat! Udineze i shënon tre!” E vërtetë që forma dhe fatet e kuqezinjve janë krejt të ndryshme në kontinent dhe në Apenine. Nëse në Champions është në çerekfinale përballë Napolit, në Serinë A rrezikon seriozisht duke pasur 48 pikë, e duke qenë në rrezik nga Interi,Lacio e Roma, pse jo edhe Atalanta.
Sfidanti.al