Që përpara ndeshjes ishte e ditur që bavarezët ishin në formë më të mirë sesa francezët. Skuadra e trajnerit Julian Nagelsman vinte në përballjen e madhe në Champions ndaj Paris SG me moralin e duhur dhe me harmoninë taktike që kërkohej, edhe pse rezultatet deri pak ditë më parë nuk ishin të mira. Gjithsesi, asgjë nuk e dëmtoi unitetin e Bajernit, dhe yjet krijuan një “trup të vetëm”, në mbrojtje, mesfushë dhe sulm, mbështetur tek Zomer, Upamekano, De Ligt, Sane, Kimih, Gorecka, Kanselo, Musiala, Çupo-Moting dhe Koman. Po ashtu, Nagelsmani pati mundësi të hidhte në fushë Dejvisin, Tomas Mylerin dhe Gnabrinë. Një ekip i tillë i ka mundësitë të fitojë, edhe kur mungojnë Nojer, Mane dhe Hernandez. Kjo u arrit me golin e Kingsli Komanit në pjesën e dytë në “Parkun e Princave”.
Paris SG, në anën tjetër, pati probleme të mëdha pikërisht në prag të ndeshjes me Mesin, Mbapenë dhe Verratin me dëmtime fizike. Mesi dhe Verrati ishin në formacion, por jo me 100 për qind, ndërsa tensioni ishte nga përplasja e Markinjosit dhe Nejmarit me drejtorin sportiv, Kampos. Mesi tek PSG nuk pati unitetin që kishte tek Argjentina ku fitoi Kupën e Botës. Kjo mund të ndikojë në vendimin e tij për të rinovuar ose jo. PSG ishte tepër dobët pasi Bajerni pati 15 gjuajtje (9 vendasit) dhe 5 gjuajtje në portë (3), si dhe kornet 4-5. Në ndeshjen tjetër të Championsit, të parën e raundit të dytë, Milani arriti një fitore të rëndësishme në “San Siro” ndaj Totenhemit. Vërtet një 1-0, por që vlen shumë sepse nuk u pësua gol. Brahim Diaz shënoi që në 7’ dhe “djalli” u mbajt përballë Spërsave të Antonio Kontes.
Paris SG-Bajern 0-1 (Koman 53’)
Paris SG (4-4-2): Donaruma, Hakimi (Kimpembe 46’), Sergio Ramos, Markinjos, Mendes, Emeri (Ruiz 57’), Pereira (Vitinja 75’), Verrati, Soler (Mbape 57’), Mesi, Nejmar.
Bajerni (3-4-3): Zomer, Pavar, De Ligt, Upamekano, Sane (Stanishiç 90’), Kimih, Gorecka, Kanselo (Dejvis 46’), Musiala (Gravenberh 87’), Çupo-Moting (Tomas Myler 76’), Koman (Gnabri 77’).
Sfidanti.al