O sa mirë me qenë shqiptar apo trajner Italian si Kolela !

Ku po shkon o Partizan? Edhe një humbje tjetër me Laçin, edhe një përmbysje rezultati, por më shumë një përmbysje morale për “demat pa brirë”. Ishte si një mashtrim i bukur goli i Da Silvës, një goditje parabolike e shinjestruar , një gol për t’u pirë në kupë, një gol që një zot e di se si mund të shkelet me këmbë nga vetë Partizani.

Na pëlqen s’na pëlqen, një bravo për Laçin që gjeti shesh dhe bëri përshesh, u argëtua shumë brenda në shtëpinë e kuqe, madje në disa momente loje, çunat e Kolelës ngjanin si manekinë me bateri të shterruara. Pale kur kujton golin e barazimit të Laçit, ku gjithë mbrojtja e Partizanit mbeti e tokëzuar dhe vetëm një futbollist laçian kërceu me kokë dhe topi nuk mund të shkonte gjëkundi veç rrjetës.

Ishte një moment “preludi” për humbjen që po vinte, por trajneri Kolela e snoboi tradhëtinë kolektive që solli këtë -gol dhe na dha “shpresë”, pas ndeshjes në intervistë , se ky Partizan vetëm për titull nuk është.! Sa i privilegjuar ky italiani i Partizanit, Kolela,i cili po provon lloj – lloj disfatash dhe pastaj bënë “Kasandrën” duke lexuar fatin e ekipit. Ne mburremi se është mirë me qenë shqiptar, por me qenë Italian në stolat tonë është akoma më mirë…

Sfidanti.al