Nëse ka një ekip që mund t’i japim sado pak përparësi, ky është ai zikaltër. Vërtet që kampion në fuqi është Milani, e madje është sërish më lart në renditjen e Serisë A, por gjithsesi Interi duket më specialist për një finale të tillë si kjo e sotmja e Superkupës së Italisë. Zikaltërit e fituan vjet trofeun përballë Juventusit, si dhe eliminuan kuqezinjtë në gjysmëfinale të Kupës. Për më tepër janë në formë më të mirë momentale në kampionat. Gjithsesi, mungesat nuk ndalen, me Brozoviçin dhe Handanoviçin që nuk llogariten. Lukaku ende mbetet në dyshim dhe shpresohet të jetë të paktën në stol. Simone Inzagi është një nga trajnerët specialistë për sfida të tilla, pasi ka fituar dy finale të Kupës së Italisë dhe 3 të Superkupës.
“Vijmë në formë të mire, – thotë ai, – Kemi 3 fitore dhe një barazim në 4 ndeshjet e fundit, që mund të kishin qenë fare mirë 4 fitore. Pavarësisht ngarkesës, po punojmë mirë. Kemi një ndeshje të vetme dhe përcaktuese ndaj t’i lemë problemet dhe të bëjmë një ndeshje të madhe siç i takon Interit, përballë një kundërshtari me mjaft vlera”.
Milani, ndërkaq, ka shpresë tek francezi Zhiru, që ka fituar shumë në karrierë, përfshi 4 kupa të Anglisë e 3 Superkupa gjithashtu në ishull. Plot 4 lojtarë janë jashtë sfidës për shkak dëmtimi, përfshi edhe Zllatan Ibrahimoviçin apo portierin titullar Menja, ndërsa trajneri Pioli pritet të bëjë ndryshime në formacion. “Objektivin e parë e humbëm, që ishte Kupa e Italisë, dhe tani duhet të luftojmë që të fitojmë të dytin, – thekson tekniku, – Ne duhet të tregojmë veten, të kthehemi te loja e zakonshme e Milanit dhe kemi besim se mund t’ia dalim. Jemi sërish të uritur dhe duam të fitojmë trofe. Natyrisht, nuk do të jetë fundi i sezonit, por do të ishte mirë ta fitonim këtë trofe”. Interi jepet lehtësisht favorit për të fituar trofeun, ndërsa tifozët shqiptarë shpresojnë që të ketë sado pak minuta për Kristjan Asllanin, që do ta nisë nga stoli.
Sfidanti.al