Zikaltërit treguan edhe një herë se nuk dinë shpesh t’i fitojnë ndeshjet edhe pse me vendimet e gjyqtarit mund të kishte qenë ndryshe. Gjithsesi, fakti është fakt, Interi është duke mbetur pas në Serinë A, diçka në të cilën ndikon edhe barazimi 2-2 në fushën e Monzës. Një autogol i Damfrisit në sekondat e fundit i hoqi fitoren nga dora, ndërsa akuzat për arbitrin Saki janë të shumta. Edhe sipas mediave italiane, ai gaboi duke anuluar golin e tretë interist shënuar nga Açerbi (pas krosimit të Asllanit), për një faull të paqenë të Galiardinit. Në të vërtetë, lojtarët vendas ishin penguar me njëri-tjetrin. Tifozët e Interit kritikuan ashpër edhe sulmuesin e tyre, Romelu Lukaku, që ishte më i dobëti në fushë, madje edhe sesa arbitri Saki. “Edhe Galiani lëvizi më shumë se ty”, ishin talljet e hidhura ndaj belgut në rrjetet sociale. Trajneri Simone Inzagi, që po vihet gjithnjë e më shumë në diskutim, deklaroi se “ishte arbitri që na mohoi fitoren, ishte skandaloze”.
Sfidanti.al