Mesi dakordësohet me PSG-në deri në 2024, ndoshta qendron deri në 2025!

U tha edhe pak ditë më parë se palët ishin afër një marrëveshjeje dhe kështu paska ndodhur. Lionel Mesi dhe Paris SG, sipas mediave europiane, paskan rënë dakord në parim për rinovimin e kontratës. Gazetari spanjoll Gijen Balage pohoi për BBC-në se klubi francez i ka propozuar argjentinasit për të rinovuar edhe për një sezon tjetër, madje duke i dhënë mundësinë që të qendrojë në Paris deri në 2025, nëse ai do të ketë dëshirë që ta bëjë. Nuk jepet ndonjë e dhënë lidhur me aspektin financiar të akordit, por nuk besohet të jetë më i vogël sesa i tanishmi që parashikon një rrogë prej 40 milionë eurosh në sezon. Balage, që është katalanas, thekson se kjo nuk do të thotë se Mesi nuk dëshiron të kthehet në Barcelonë, por që klubi “blaugrana” nuk e ka kontaktuar dhe nuk i ka propozuar për një ribashkim.

Me fitoren e titullit botëror, dyshimet ishin të shumta se cilat ishin qëllimet e 35-vjeçarit në të ardhmen, tashmë që arriti gjithçka në karrierë. Gjithnjë, duket se Mesi, ndryshe nga Kristiano Ronaldo, dëshiron të vazhdojë të luajë në nivele të larta. Këtë sezon ai ka qenë në formë të madhe për PSG-në në ligën franceze dhe në Europë, ndërsa dëshira më e madhe e superyllit është që të fitojë sërish Championsin për t’u barazuar pikërisht me Ronaldon.

Sfidanti.al