Asllani: Jam gjithmonë maksimumin për Interin dhe fitoj besim

Sërish nuk ishte titullar, por një dorë ia dhanë. Kristjan Asllani mori vlerësime mjaft pozitive nga mediat italiane pas rreth 20 minutave që luajti në miqësoren e fituar 2-0 nga Interi ndaj Rexhinës, duke u cilësuar si një nga alternativat e rëndësishme të mesfushës. Pas një gjysmë sezoni tek zikaltërit, aktivizimi është ende me pikatore, pavarësisht nga nisja e mirë në fazën përgatitore, me trajnerin Simone Inzagi që i ka dhënë pak minuta në Serinë A dhe në Champions. Vetë ylli 20-vjeçar kuqezi mbetet me shpresë se do të ketë më shumë mundësi në të ardhmen. “Po, unë gjithnjë jap maksimumin kur hyj në fushë dhe përpiqem të bëj atë që kërkon trajneri, – thotë ai për televizionin e klubit, – Dua të ndihmoj skuadrën. Këto ndeshje mua më ndihmojnë shumë sepse krijoj më shumë njohje dhe besim me shokët e ekipit. Më ndihmojnë për të pasur sa më shumë minuta”.

Sfidanti.al