Misionin më të vështirë të jetës së tij sportive tashmë e realizoi. Lionel Mesi është një njeri thellësisht i lehtësuar pasi u shpall kampion i botës me Argjentinën, dhe vendimet për të ardhmen tashmë i vijnë krejt natyrshëm. Lajmi është që magjistari i topit ka pranuar ofertën e Paris SG për të rinovuar kontratën që përfundon këtë verë. Me gjasë, nuk do të jetë firmë për më shumë se një sezon, deri në 2024, por padyshim që Mesi do të ecë me parimin “me të parë, me të bërë”, ashtu si Luka Modriç tek Reali.
I mbërritur me bujë të madhe verën e 2021-it, argjentinasi po e tregon më në fund veten, dhe duke qenë në formë të shkëlqyer as nuk bëhet fjalë që të shkojë tek Interi i Majemit në ligën profesioniste amerikane. Po një rikthim tek Barcelona a mund të konsiderohet? Populli thotë “buka e thyer nuk ngjitet më”, dhe për Mesin fanela katalanase do të vazhdojë të mbetet e huaj. Ai synon ende rekorde në karrierë, së pari një Champions të pestë për t’u barazuar me Kristiano Ronaldon, e për të mbetur vetëm një prapa legjendës Fransisko Gento.
Duke mbetur tek Championsi, Leo kërkon të arrijë e të kalojë rekordin e golave të Ronaldos që është 140, ndërsa ai vetë ka 129. Më tej, ai do të synojë të mbetet në formë të madhe për të shtuar numrin e golave me Argjentinën. Deri tani ka 98, më i miri i Amerikës së Jugut, por mbetet 20 gola prapa Kristianos, e ndoshta edhe mund t’ia dalë të jetë rekordmen. Sidoqoftë, trofetë më të çmuar janë ato të skuadrave, dhe Mesi do të përpiqet të jetë në Kupën e Amerikës në 2024, kur të ketë 37 vjeç moshë e të fitojë titullin e dytë radhazi, për të vendosur rekordin mbi Uruguajin. Së fundmi, një ëndërr e fshehur thellë mund të jetë Botërori i ardhshëm në 2026.
Sfidanti.al