Prag Iran-SHBA, përplasja duket më afër sesa mesazhi i paqes!

Sa do të donim që të përsëritej ajo që ndodhi 24 vjet më parë. Në Botërorin francez në 1998, dy vende që cilësohen si armiq me njëri-tjetrin, Irani dhe SHBA, u ndeshën në fazën e grupeve dhe lojtarët dhanë një mesazh paqeje. Futbollistët iranianë dhe amerikanë jo vetëm që u takuan e u përqafuan, por edhe u bënë një ekip i vetëm në foton përpara fillimit, duke shkëmbyer edhe tufa me lule. Vështirë që kjo gjë të përsëritet sot, ndërsa dy skuadrat do të luajnë në orën 20:00 sërish në një ndeshje grupi që është përcaktuese për kualifikimin. Atmosfera është acaruar ndjeshëm pas atij që mund të quhet provokim nga ana e Federatës Amerikane që botoi flamurin e Iranit pa simbolin e Republikës Islamike në qendër.

Irani protestoi zyrtarisht dhe kërkoi që SHBA të përjashtohej nga Kupa e Botës, ndërsa Federata Amerikane pranoi se e kishte bërë këtë me qëllim, e kishte ndryshuar për 24 orë flamurin për t’u solidarizuar me protestuesit në Iran. Nga ana tjetër, tensionet janë tepër të larta brenda vetë kampit Iranian, pas gjestit pa precedent që bënë lojtarët e kombëtares duke mos kënduar himnin përpara sfidës me Anglinë. Ata protestuan ndaj shtypjes së përgjakshme të protestave në Iran nga ana e qeverisë. Gjendja në Iran mbetet eksplozive pas demonstratave e protestave masive që pasuan vdekjen 22-vjeçares Mahsa Amini në një rajon policie.

Lajmet në media janë që autoritetet në Teheran i kanë kërcënuar futbollistët që të sillen në mënyrë korrekte, ndryshe mund të ndëshkohen familjet e tyre. Duke u kthyer tek futbolli, dy ekipet luftojnë për kualifikimin me Iranin që luan për dy rezultate, me kusht që Uellsi të mos fitojë thellë me Anglinë, ndërsa amerikanët kanë nevojë vetëm për fitore.

Sfidanti.al