Mund të shpenzosh rreth 220 miliardë USD, por sërish të mos e shmangësh më të keqen. vNë një Kupë Bote ka shumë rëndësi infrastruktura, si stadiumet, rrugët, hotelet apo aeroportet, por kur vjen puna tek turneu që po zhvillohet në Katar, gjithçka tjetër duhet të harrohet përpara tragjedisë njerëzore. Vetë autoritetet organizatore të Botërorit pranojnë se qindra njerëz humbën jetën gjatë 12 viteve që u desh për ndërtimin e impianteve. Njëri prej shefave të komitetit organizator, Hasan Al Tauadi, pranon se “gjatë punimeve ka pasur 400 deri në 500 viktima”, ndonëse shton se “nuk e kemi një numër të saktë të të vdekurve”. Shoqata të ndryshme për të drejtat e njeriut dhe mediat sidomos në Perëndim kanë bërë fjalë për rreth 6 500 jetë të humbura, shumë më tepër sesa raportojnë drejtuesit në Katar. Akuzat kanë qenë prej vitesh, të paktën që nga 2012-ta, për kushte çnjerëzore në punë të mijëra e mijërave emigrantë të ardhur nga vendet e varfëra të Afrikës apo të Azisë Juglindore, të cilët kanë ndërtuar një infrastrukturë të klasit të parë botëror, kundrejt pagesave qesharake dhe vuajtjeve në mes të vapës në Lindjen e Mesme. Gjithsesi, Kupa e Botës po vazhdon të zhvillohet.
Sfidanti.al