Nga “kriza në krizë”, përse katër stadiume ia mbyllin dyert Superligës?!

Po përsëritet situata e vitit të kaluar, e ndoshta edhe më keq. Futbolli shqiptar provon një krizë të re të stadiumeve me 4 impiante që ose janë mbyllur, ose do të mbyllen këto ditë. “Arena Air Albania” ka shumë javë që nuk pranon ndeshje të Abisnet Superligës, dhe do të vazhdojë të jetë i mbyllur deri sa të përfundojnë dy miqësoret e kombëtares, në 16 nëntor ndaj Italisë dhe në 19 kundër Armenisë. Stadiumit kryesor në vend i janë bashkuar edhe 3 të tjerë. “Loro Boriçi” në Shkodër është mbyllur me urdhër të UEFA-s, sepse fusha e tij nuk cilësohet për momentin në standardin e duhur për të pritur ndeshjen e grupeve të Championsit për femra mes Vllaznisë dhe Paris SG. Për këtë arsye, duhen bërë punime dhe “Loro Boriçi” me gjasë do të jetë i mbyllur deri në dhjetor. Kjo do të bëjë që ndeshja mes Vllaznisë e Tiranës, për javën e 12-të, të mos luhet në Shkodër, por do të jetë në stadiumin “Selman Stërmasi”, pra me kryeqytetasit si pritës, ndonëse edhe kampionët nuk kanë qenë të kënaqur me nivelin e terrenit në shtëpinë e tyre.

“Elbasan Arena” me shumë gjasa nuk do të presë Partizanin për javën e 12-të ndaj Bylisit, pasi edhe njëra nga fushat më të mira të Shqipërisë duhet të riparohet për t’u kthyer në gjendjen e duhur. Në Elbasan janë zhvilluar shumë ndeshje të kampionatit shqiptar, ndërsa pritet që Partizani të luajë ndaj Bylisit në stadiumin e ri të kompleksit të tij sportiv në Tufinë, me kusht që të përfundojë punimet e detyrueshme për këtë gjë. Së fundmi, Teuta e ka mbyllur sërish impiantin e saj, “Niko Dovana”, diçka që e kishte bërë edhe në gusht të këtij viti, dhe i krijoi probleme edhe sezonin e kaluar. Në fushën durrsake do të mbillet sërish bari dhe Teuta mund ta luajë në Rrogozhinë derbin ndaj Erzenit.

Sfidanti.al