Trajneri zikaltër po lavdërohet në Itali dhe për të po thënë se e kaloi me sukses provimin në një grup kaq të vështirë në Champions. Fitorja 4-0 ndaj Plzenit në “San Siro” theksohet se mund të jetë një ringjallje e sezonit edhe në Serinë A, ku Interi është ende prapa Napolit dhe Milanit, por edhe disa ekipeve të tjera. Gjithsesi, kalimi i raundit në një grup me Bajernin e Barcelonën nuk është gjë e vogël dhe Inzagi, siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, ia doli aty ku dështuan në të kaluarën Konte apo Sarri!
Fitorja e Interit ishte fatale për Barcelonën që u eliminua pa zbritur ende në fushë për të luajtur me Bajernin. Ishte festa edhe e Romelu Lukakut që hyri vetëm në 8 minutat e fundit, por edhe aq i mjaftoi për të shënuar golin e tij. Plot 75 000 tifozë në “San Siro” ishin në këmbë, ndërsa festë pati edhe për Kristjan Asllanin që u aktivizua 71’ në vend të Hakan Çalhanoglusë. Shqiptari kërkon minutazh dhe Inzagi mund t’ia japë. Golat u shënuan nga Mkitarian në 35’, Xheko në 42’, sërish Xheko në 66’ dhe Lukaku në 87’. Zikaltërit kanë 10 pikë në 5 ndeshje me golat 10-5, të paarritshëm nga Barcelona.
Sfidanti.al