Në Itali thonë se fati i Alegrit tashmë është i vulosur

Juventusi cilësohet si një “trup i vdekur” (mortificata), ndërsa “La Gazeta delo Sporti” rreshton të gjitha fajet e trajnerit. Mediat shkruajnë se fati i Masimiliano Alegrit tashmë është i shenjuar, i vulosur, edhe pse ai mbetet në detyrë sepse ka kontratë. “Katër humbje në 5 ndeshje në Champions, – shkruan “La Gazeta”, – një falimentim shpërfytyrues, pa lojë, pa shpirt, ekipi në rënie të lirë që në tetor. Mirë që ishin djemtë e rinj që shpëtuan sado pak fytyrën”. Vetë Alegri nuk dëshiron të flasë për të ardhmen, por përqëndrohet tek ndeshjet e radhës.

“U treguam të pakujdesshëm në golat që pësuam, – u shpreh ai, – dhuruam 3 gola. Duhet të bazohemi tek 20 minutat e fundit që luajtëm në Lisbonë që treguan se ku mund të jemi. Le të qetësohemi, të mbledhim energjitë për Leçen në Serinë A dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen ndaj Paris SG që të kualifikohemi në Ligën e Europës”.

Sfidanti.al