Nagelsman për Bajernin: I kënaqur me lojtarët, nuk dua që të më duan!

Nuk thuhet kot se futbolli nuk është shkencë ekzakte. Është e kotë të bësh parashikime, ndërsa kritikat e shumta vlejnë më tepër për popullaritet sepse ekipi i kritikuar mund të të nxjerrë bllof. Kështu bëri edhe Bajerni që me triumfin 4-0 ndaj Leverkusenit tregoi se nuk është ajo skuadër që na prezantonin opinionistët. Pas 4 ndeshjeve pa fitore, shpërthimi ishte i tillë që i entuziazmoi të gjithë. Leroi Sane, Xhamal Musiala, Sadio Mane dhe Tomas Myler ishin autorët e golave në një paraqitje që ndryshonte shumë nga ato që nuk kishin bindur ndaj Augsburgut, Shtutgartit, Unionit të Berlinit dhe Mynshengladbahut. Lehtësimi më i madh padyshim për trajnerin Julian Nagelsman, që ishte vënë nën presion dhe që thuhej se nuk shkonte mirë me lojtarët.

“Dua të citoj fjalët e Tomas Mylerit se tek Bajerni duhet të japësh gjithmonë maksimumin, – tha tekniku, – kjo gjë ndodhi këtë herë. Një fitore është gjithmonë e nevojshme, por sidomos tani ishte edhe më shumë për shkak të rezultateve të fundit. Është shkruar dhe thënë shumë për raportet mes stafit teknik dhe lojtarëve. Unë dua të them se jam i kënaqur për mënyrën sesi lojtarët luajtën. Jo gjithkush domosdoshmërisht duhet të më pëlqejë mua”.

Mediat bavareze lavdërojnë sidomos kapitenët Manuel Nojer dhe Xhoshua Kimih që dhanë shembullin në fushë. Revista “Sport Bild” shkruan se “Bajerni flaku tej krizën, dhe arriti tripikëshin e parë pas 4 ndeshjeve pa fitore. Kampionët kanë 15 pikë pas 8 ndeshjeve, ende jo në krye të Bundesligës, por suksesi i fundit tregoi se ata nuk mund të mos llogariten.

Sfidanti.al