Sipas porosisë që ishte dhënë nga lart, para ndeshjes, u hap nami dhe nishani se Kombëtarja do të fitonte në Izrael jo me 1 gol se nuk na bënte punë, por me dy gola diferencë. Fitorja ishte kaq e lehtë nëpër studio e televizoneve, sa disa mendonin edhe për ndeshjen e ardhshme me Islandën. Një nga idetë “gjeniale” që u tha poshtë, por erdhi nga lart: “ Mundim Izraelin dhe mbushin stadiumin me tifozë me Islandën..” U bë kaq e sigurt fitorja në tokën e shenjtë sa kishte nga ata që të pyesnin me padurim: “ Cilët futbollistë janë caktuar për të shënuar golat në tokën e shenjtë? Po golat si do të ndahen, sa në pjesën e parë dhe sa në të dytën ?
..Ajo që ndodhi në Izrael, tregon se Teatri kuqezi është një intrigë e pafund seriale, ku aktorët në çdo 90 minutësh nuk lodhen duke tradhëtuar. Sipas zakonit dhe sipas skenarit, ndër të parët që “mjekon kancerin ” kuqezi , është kapiteni Hysaj, kur guxon e thotë se fajin e kanë futbollistët e rinj që nuk kanë agresivitetin e duhur! O zot kush flet.Një i vjetër që ka gabuar me Kombëtaren si rekordmen, më shumë se çdo kapiten tjetër, me privilegjin e rallë dhe të dyshimtë, se sa më shumë gabon, më të thella i KA rrënjët e shiritit të kapitenit.
Haleluja kuqezi: E kanë fajin të rinjtë ! Në një Kombëtare që fatin e saj e kanë molepsur të vjetërit,( më mirë me thënë të lashtët), me në krye presidentin Duka, me trajnerin më të moshuar në kontinent , Edi Rejën, me futbollin më të vjetërsuar, të cilit i duken arnat sapo dalim në fushë, fajësohet një brez i tërë, por që nuk ka gojë…
Sfidanti.al