Sa janë shanset e Kristjan Asllanit që jetë titullar për Interin ndaj Romës?!

Mund të mos jetë në maksimumin e formës, por fati vjen edhe kështu. Kristjan Asllani mund të jetë titullar për Interin pikërisht pas dy ndeshjeve me kombëtaren, ndaj Izraelit dhe Islandës. Përtej ngarkesës fizike deri të mërkurën në mbrëmje, futbollisti 20-vjeçar pritet të përzgjidhet në formacion nga trajneri Simone Inzagi për ndeshjen e së shtunës në Serinë A ndaj Romës. Përballja do të luhet në orën 18:00 në “San Siro” dhe Asllanit i hapet hapësira për shkak të mungesave. Marcelo Brozoviç, që është titullar fiks dhe luan në rolin e shqiptarit, është i pezulluar, ndërsa Çalhanoglu është i dëmtuar. Mediat italiane shkruajnë se Inzagit i është kërkuar nga drejtuesit e klubit që të jetë më i guximshëm me të rinjtë si Asllani dhe Belanova, të cilët kanë luajtur shumë pak deri tani.

Mesfushori 20-vjeçar shkëlqeu gjatë fazës përgatitore, duke luajtur vazhdimisht, duke shënuar gola e duke shërbyer asistë, por gjatë sezonit është aktivizuar fare pak. Gjithsesi, humbja ndaj Udinezes bëri që të shpërthenin kritika të ashpra dhe u theksua se Interi ka hyrë në krizë, ndaj edhe Inzagi do të duhet të ndryshojë. Asllani do të ketë mundësi të stërvitet vetëm për pak ditë, pra dy ditë, por gjithsesi edhe lojtarët e tjerë zikaltër do të jenë të angazhuar në ekipet e tyre kombëtare, pra nisen nga pozita të barabarta kur vjen puna për të konkurruar për formacionin ndaj Romës këtë të shtunë.

Sfidanti.al