Pyetja e javës e revistës “Kiker”: A mundet Bajerni ta fitojë titullin këtë vit?!

Sulmuesi me origjinë nga Kosova, Mërgim Berisha vendosi sfidën e Bundesligës, mes Augsburgut dhe Bajernit, dhe presioni tashmë është i gjithi mbi trajnerin e bavarezëve, Julian Nagelsman. “Paraqitje alarmuese e Nagelsmanit, – titullon “Sport Bildi”, Bajerni është në krizë, Nagelsmani është në krizë!” Vetë Nagelsmani kërkon përgjigje nga lojtarët e tij pas një paraqitjeje të tillë.

“Unë shqetësohem për gjithçka, – tha ai, – mendoj për veten, për situatën, për ekipin dhe lojtarët. Ne ishim shumë të pakujdesshëm në 30 metrat e fundit. As në stërvitje ne nuk e kemi këtë epërsi në zotërim topi, por nuk pati vlerë. Natyrisht që jam shumë i shqetësuar dhe i zhgënjyer”.

Pyetja e javës e revistës “Kiker” është: A do ta dalë sërish Bajerni kampion, pavarësisht krizës?  Dyshimi është se do ta ketë të vështirë. Një mesazh të qartë lëshoi edhe klubi me fjalët e drejtorit sportiv, Salihamixhiç. “Ne kemi 4 ndeshje radhazi pa fituar, – tha ai, – nëse luajmë kështu, nuk mund ta fitojmë titullin në Bundesligë”.

Sfidanti.al