I shpëtoi syri sulmuesit Cara, por si “hero” i gëzohet 3 pikëve!

I gjori futbolli ynë! Ai i Superligës dhe i kateve përdhes, shpesh i ngjasojnë një lufte, që për fatin e mirë apo të keq, akoma nuk ka të vrarë, por vetëm të plagosur! Dhe kështu qënka shkruar skenari. Vriten poshtë në fushë, kurse lart nëpër zyra, me gjakun e futbollistëve apo të arbitrave firmosin ..marrëveshjet me dhunuesit! Seriali i dhunës mbahet gjallë sikur të jetë kurdisur nga mjeshtra, dhe lajmi i mirë mbetet që dhuna s’ngjitet dot tek zytarët e futbollit, te pronarët e saj, por mbetet tek proletarët e fushës.

Rasti fundit ishte një prelud i zi për “muzeun e gjakut” të Superligës: sulmuesi i Partizanit, Tedi Cara, pasi ka shënuar golin, në vrapim e sipër, sapo ka shkuar për të festuar golin në krah të tribunës, është goditur me shishe pranë syrit. Një “snajper futbolli”, siç u tha edhe në koment, pasi ishte i njohur për nishanin, kishte shenjuar ..gjahun e tij. Kishte flakur vetëm një shishe dhe jo disa. Nëse do të kishte mundësi ta intervistonim dhunuesin, vetëm një pyetje do t’i bënim: sa orë në ditë stërvitet për këtë sport?

Vite më parë në Shkodër, kur shënonte sulmuesi kundershtar, ndodhte që të të hidhnin lule që i kishin marrë për sulmuesit e tyre kur te shenonin golin. Në vitin 2022, mu në zemër të stadiumit të ri të Kukësit, për të cilin u tha se do të ndikonte edhe në jetën e qytetit, Cara duhet të festojë dy herë: një herë që shpëtoi syrin dhe një herë që shpëtoi Partinë, na falni.. Partizanin. Tani u harrua turpi i një jave me parë! Dëgjoni fjalët e Tedi Carës dhe kujtoni filmat me heronjtë, që jepnin jetën për qëllimin e madh : “ Shishja ( plumbi) nuk kapi syrin, por poshtë vetullës! Fitorja ishte shumë e rëndësishme”. Rrofshin 3 pikët, edhe me një sy po të mbetemi.. nuk dorëzohemi.!

Sfidanti.al