Dibala ndoshta jetoi ditën më emocionuese të karrierës!

Dhjetë mijë tifozë nuk ishin edhe aq të zakonshëm, dhe jo vetëm për Romën. Klubi kryeqytetas e mendoi mirë prezantimin e “margaritarit” të ri, diçka që ekipit verdhekuq i mungonte që nga koha e Françesko Totit, për të mos shkuar prapa deri në vitet 80-të me Falkaon, Di Bartolomeun, Kontin, Prucon apo Xhaninin. Paulo Dibala doli për herë të parë përpara publikut që do të jetë i veti, dhe që deri në maj e pati një nga kundërshtarët më të rreptë, ndërsa ishte pjesë e Juventusit. Ishin 10 000 tifozë në sheshin përpara “Pallatit të Qytetërimit të Punës”, quajtur ndryshe edhe Koloseumi në formë Kuadrati, tepër të emocionuar edhe ata që brohoritën fuqishëm, aq fort sa argjentinasi nuk po gjente dot fjalët. Më në fund, Dibala thirri: Daje Roma! “Jam shumë krenar që po ju njoh, – deklaroi ai, – nuk ka qenë e lehtë të luaja kundër Romës. Tani mezi pres të hyj në “Olimpiko” e të luaj për ju. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua”.

Sfidanti.al