Partizani mban Mehmetin, por trajnerët i heq zakonisht ose në dhjetor, ose në maj!

U fol shumë për një largim, por duket se nuk do të ndodhë.  Partizani e ka marrë vendimin sipas natyrës tipike të presidentit Gazmend Demi, që nuk nxitohet për të larguar trajnerë. Dritan Mehmeti do të vazhdojë të jetë në stolin e të kuqve, që tashmë janë përqëndruar tek Superliga shqiptare pas dështimit në Europë. U mendua se tekniku i ri mund të bëhej “koka e turkut” për daljen jashtë Ligës së Konferencës, pavarësisht fitores 1-0 në Gjeorgji, ndërsa Saburtalo kaloi raundin falë gjuajtjes së penalltive. U përmendën edhe emrat e italianë Serse Kozmi e Diego Longo, por duket se nuk kanë pasur ndonjë bazë, por më shumë kanë qenë nxitje të menaxherëve. Natyrisht, Partizani do të jetë kërkues ndaj Mehmetit, por Demi ka deklaruar se nuk ka ndërmend të shkarkojë trajner për vetëm një humbje, sepse projekti është afatgjatë.

Ish-ndihmësi i Skënder Gegës mori detyrën në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pra ka vetëm 7 muaj që drejton skuadrën, dhe besohet se nuk mund të vihet në diskutim të paktën deri në mbyllje të 2022-it edhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Skuadra rinisi stërvitjen fundjavën e kaluar ndërsa bëri 6 ditë pushim pas eliminimit nga Europa. Ndryshimi i vetëm në ekip është mbrojtësi 28-vjeçar nga Sllovakia, Jozef Menih, ndërsa dy afrikanët Sembene dhe Geje duan që të largohen. Shqetësimi kryesor për klubin ka të bëjë me pasojat financiare të Ligës së Konferencës, pasi u shpresua për të fituar mjaft, por të ardhurat pritet të jenë minimale. Shpërblimi nga UEFA është 250 000 euro, por Partizani shpenzoi 80-90 000 euro për çarterin deri në Gjeorgji, ndërsa mund të ndëshkohet me rreth 50 000 euro apo më shumë për trazirat e tifozëve në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al