Një anektodë e re ka lindur në Superligë: Tirana ka humbur formulën se si fitohet një ndeshje! Dhe tamam, në prag të derbit me Partizanit, kori i “kasandrave” paralajmëron se Partizani ka diçka më shumë në sulm se bardheblutë. Mos na bënë gjë veshët? Si ka mundësi të thuhet kjo blasfemi , kur për javë të tëra u lodhëm duke thënë se Seferi dhe Xhixha janë dyshja e ëndrrave të sezonit, kurse tani ..ëndrrat qënkan prishur ose janë veshur me të kuqe!
Po kur dëgjon edhe një qortim hokatar : Tirana nuk duhet të jetë si me Teutën, sepse do të thyej kokën! Në fakt, atë ditë , kundër Teutës, Tirana e qau rolin e viktimës, pale kur vraponin dhe aktronin pas ndeshjes, për të telendisur arbitrin Alla që i “tradhëtoi” parimet . Ishte një skenë “debutuese” për kampionët që po bëjnë edhe më të bukur skenarin e filmit, pasi gjatë gjithë sezonit arbitrat kishin krijuar idenë se me të gjithë mund të gabonin, por vetëm me ta nuk do ta prishnin paktin!
Po në Derbi, si vallë do të kurdiset ora e fatit? Dhe çfarë Derbi, një mall që nuk blihet si dikur, për të cilin nuk mund të shkruhet në etiketë “origjinë e konktrolluar”, pasi s’luhet në Tiranë, por në Elbasan. Dhe në një kampionat ku të gjithë kanë mërguar nëpër stadiumet e botës, edhe Derbi s’mund të jetë pa valixhe në dorë, i ndjekur dhe i përndjekur vetëm nga një grusht tifozësh. Si për të vertetuar teorinë e “eliksirit të shefave” : futbolli vetëm për 22 vetë, pra për dy ekipet, dhe jo për të tjerët…
Sfidanti.al