Nis Xhiroja e Italisë, gara e dytë më e vjetër në botë e çiklizmit

Për herë të parë, etapa nistore ishte me fillesë nga Budapesti. Kështu e zgjodhën këtë herë organizatorët e Xhiros së Italisë, garës së dytë më të vjetër dhe më të famshme në botë të çiklizmit në formë kampionati. Me edicionin e parë në 1909, Xhiroja është mbajtur 104 herë duke përjashtuar vetëm vitet e dy luftërave botërore. Kampion në fuqi është Egan Bernal nga Kolumbia, ndërsa etapa e parë pati itinerarin Budapest-Vishegrad me gjatësi 195 km, pra me përfundim në qytetin ku kishte rezidencën mbreti i shquar hungarez, Matias Korvinus (hungarisht: Matiash Huniadi, djali i Janosh Huniadit, bashkëkohës i Skënderbeut). Xhiroja e Italisë do të zgjasë deri në 29 maj, do të përfundojë në Veronë dhe do të ketë një gjatësi prej 3 410 kilometrash. Në histori, Xhiron e kanë fituar çiklistë të mëdhenj si Edi Merks (5 herë), Fausto Kopi (5) apo Alfredo Binda (5), ndërsa kohët e fundit yjet e mëdhenj kanë zgjedhur vetëm Turin e Francës, dhe favoritë janë Karapaz, Jejts dhe Almeida.

Sfidanti.al