Trajneri gjermano-kroat i shkodranëve nuk tha asgjë përveçse atë që ishte dhe atë që është. Në intervistën për revistën gjermane “Kiker”, Tomas Brdariç theksoi se “jam i lumtur sa një “mbret i dëborës” që tani po stërvitemi në një fushë me bar artificial”. E tillë është gjendja në futbollin shqiptar që Vllaznia e Shkodrës, skuadra më e vjetër e vendit, fituese e Kupës në fuqi, pjesëmarrëse në kupat e Europës, dhe pretendente deri në fund vjet për titullin, duhet të gëzohet që e ka një fushë me … bar artificial.
“Më parë ne stërviteshim në kushte krejt të papërshtatshme, – thotë Brdariçi, – tani nuk është se kemi arritur “qiellin”, nuk krahasohemi me kushtet gjermane, porse të paktën kemi një fushë që i afrohemi disi normalitetit”. Gjithsesi, Vllaznia stërvitet në fushë me bar artificial, diçka e papranueshme për një ekip të këtij niveli, dhe për një ekip të Superligës. Është e domosdoshme që skuadrat e nivelit të elitës të stërviten në fushë me bar natyral, siç bën Tirana, dhe siç do të bëjë Partizani kur të ketë gati kompleksin. Kemi 30 vjet në sistemin e ri, dhe për infrastrukturën shkojmë gjithnjë e më prapa në krahasim me sistemin e kaluar, në vend të që të ecim përpara.
Sfidanti.al