Fati i keq i Shkëmbit… Tirana këtë rradhë e mori seriozisht

Në konferencën e shtypit përpara ndeshjes së dytë derbi, Tirana – Dinamo, trajneri Shkëmbi u shpreh gjysmë me ironi: “Ishalla na nënvlerësojnë përsëri”… Sigurisht i është referuar lojës së Tiranës në mesjavë dhe ndoshta kishte të drejtë. Nga kjo Tiranë duhet pritur t’i hedhë hi syve vetës, që më pas ish-rivalët e dikurshëm të kryeqytetit të dalin në sipërfaqe si nëndetëse. Po pse herë pas here nuk e respektojnë të gjithë edicionin në tërësi dhe çdo javë? Kjo mbetet një pyetje retorike që nuk vlerësohet me asnjë pikë.
Kukësi tregohet ndonjëherë aq i këndshëm, sa mezi të presësh ndeshjen tjetër, por nuk ka ndroje të paraqesë shfaqe si ajo e Korçës, ku cilësitë reale të skuadrës ishin harruar në shtëpinë me qera që kanë prenotuar prej kohësh në Tiranë. Dhe meqenëse të gjithë bëjnë pak a shumë të njëjtën gjë, madje me një sinkronizim të habitshëm, kampionatet tona në përgjithësi mbeten në një ekuilibër perfekt, ndërsa lexuesit e specializuar të tabelave të klasifikimit na e shesin këtë fletë EKG-je, si maksimumi i rivalitetit dhe spektaklit.
Vllaznia e luan një ndeshje, siç ishte ajo ndaj Dinamos, të cilën shkodranët e fituan me një rezultat spektakolar (6-3), dhe të gjithë futbollistë e trajnerë shpallen zyrtarisht heronjë. Ndërsa ndeshjen tjetër jo dhe të gjithë i mallkojnë sikur të mos ishin asgjë, madje Bërdariçin më shumë, qoftë edhe për faktin se ka për hajmali një palë pantallona që nuk i ndërron kurrë. Ndërkohë që Partizani ka kohë që nuk e merr seriozisht vetveten. Skuadra e kuqe, në prag të çdo sezoni prezantohet me nga një pamje të re, por tashmë po vuan realisht për të gjetur qoftë edhe një fitore të çfarëdoshme, aq sa më interesante është bërë nëse ka vërtetë një prishje të marrëdhënieve midis trajnerit dhe drejtorit, se sa çfarë solucioni duhet gjetur për ta nxjerrë ekipin nga kriza… Dhe në fund, të gjithë mund të dalin kampionë.