Nata e Fishekzjarrëve ndërpret ndeshjet në Angli e Irlandë, rrezikohen lojtarët!

Në të vërtetë patën arsye për të festuar, por nuk bënë pikërisht kështu. Ishte Nata e Fishekzjarreve, që kremtohet sidomos në Britaninë e Madhe, por përtej ceremonive zyrtare me koreografi të shkëlqyer, në rrugë e madje në stadiumi pati krejt tjetër gjë. Ndërsa protestuesit u përplasën me policinë duke lëshuar fishekzjarrë, as tifozët e futbollit nuk u përmbajtën. Në shumë ndeshje pati hedhje të sendeve të tilla piroteknike, por problemet më të mëdha ishin në një ndeshje në Irlandë, dhe një në Angli. Një pjesë e publikut hodhi fishekzjarrë drejt e mbi kokat e lojtarëve, dhe arbitrave duke i rrezikuar në ndeshjen mes Uoterfordit dhe Shamrok Roversit. Kjo bëri që arbitri ta ndërpriste ndeshjen për 8 minuta, por pastaj ta rifillonte duke kërcënuar se do të ndërpritej përfundimisht nëse do të kishte sërish trazira.

Shamroku fitoi 3-1, por në një ligë rajonale në Angli ndodhi më keq. Një fishekzjarr goditi një lojtar në këmbë në ndeshjen e ekipeve të rezervave të Hashtag Junajtidit, ndaj Krukz Junajtidit. Futbollisti mori ndihmë mjekësore, por për fat nuk pati probleme serioze, ndërsa ndeshja u ndërpre sepse tifozët nuk deshën të ndalonin. Kjo krejt sipas origjinës së Natës së Fishekzjarreve që nuk ka qenë aspak festë, por një komplot i katolikëve kundër mbretërisë në Angli në fillim të shekullit të 17-të.

Sfidanti.al