NBA, Golden Stejti si në kohët e arta, madje pa e lodhur shumë Kërrin!

Merita e trajnerit Stiv Kerr është e madhe. Pas një sezoni në tranzicion siç ndodhi vitin e kaluar, Golden Stejt Uorriors janë kthyer sërish në pretendentë të mëdhenj në NBA. Duke lënë pas dëmtimet e Kërrit e kapitenit Tompson dhe largimin e Kevin Durantit, ish-kampionët punuan për muaj me radhë për të krijuar një skuadër të re, dhe kjo po duket qartë. Fitorja e thellë, 126-85 ndaj Nju Orlinsit tregoi se ekipi nga Kalifornia është jo vetëm i aftë që të mundë kundërshtarët, por sidomos të japë spektakël dhe ta bëjë me një lojë të vërtetë kolektive. Aq e vërtetë është kjo saqë ylli kryesor, Stef Kërri, nuk pati nevojë të lodhej shumë duke shënuar vetëm 19 pikë, ndërsa ndihmoi me 6 asistë.

Xhordan Pul është njeriu i momentit dhe kundër Nju Orlinsit shënoi 26 pikë. Krah tij, Uigins, Geri Pejton dhe po ashtu Nemanja Bjelica, pa harruar 10 asistët e veteranit Andre Iguodala. Golden Stejti pati 36 asiste, 13 më shumë se kundërshtari në një stil loje që i dha titujt në basketbollin amerikan në 2015, 2017 e 2018. Ekipi kalifornian është më i miri i sezonit në NBA me 7 fitore e vetëm 1 humbje, po aq sa Juta Xhazi, duke qenë në vendet e para në Konferencën Perëndimore.

Sfidanti.al