Dy ndeshjet e mëdha të Europës, El Klasiko pa Mesin, dhe Man. Junajtid-Liverpul!

Erdhi dita e El Klasikos së parë pa Lionel Mesin. Tre vjet pas largimit të Ronaldos nga Reali, edhe magjistari argjentinas e braktisi Barcelonën, dhe nuk do të jetë në fushë për herë të parë që nga 2005-sa. Gjithsesi, jeta vazhdon dhe sot në 16:15 luhet dueli i madh i Spanjës në “Kamp Nou”. Do të jetë i pari plotësisht me tifozë që pas atij në “Bernabeu” në mars 2020. Barcelona padyshim që kërkon fitoren, edhe pse nuk i japin shumë shpresë.

Për të kuptuar ndryshimin radikal të situatës, mjafton të kujtojmë se Barça sot ka limit rrogash 10 herë më të vogël se Reali dhe një borxh prej rreth 1.2 miliardë eurosh. Mungojnë Dembele, Pedri, Arauho, ndërsa Zhordi Alba është dyshim. Trajneri Ronald Kuman gjithsesi luan rolin e trimit duke thënë se “nuk kemi frikë nga El Klasiko, sepse luajmë në shtëpinë tonë, ndërsa i kemi fituar dy ndeshjet e fundit”.

Reali mbërriti mbrëmë vonë në Katalonjë, dhe e di se cilësohet favorit, ndonëse kjo mund të prishë punë. Madrilenët nuk kanë Bejlin e Sebajosin, ndërsa dyshime ka për Hazarin, Karvahalin, Iskon e Joviçin. “Nuk kam fituar kurrë në “Kamp Nou”, – thotë trajneri madrilen, Ançeloti, – ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Jemi optimistë, por gjithashtu e dimë se rreziku do të jetë i madh”. Reali ka 17 pikë ndaj 15 të Barcelonës, por e humbi 1-2 ndeshjen e fundit në fushën e Espanjolit.

Një tjetër duel i madh i kësaj të diele është ai në Premier Ligë, mes Mançester Junajtidit dhe Liverpulit në “Old Traford”. në 17:30 “Djajtë e kuq” vijnë me shumë kritika në derbin e Anglisë pavarësisht fitores me përmbysje në Champions, 3-2 ndaj Atalantës. Liverpuli cilësohet më shumë në formë, siç e tregoi me fitoren e rëndësishme po 3-2 arritur në Champions në fushën e Atletikos. Edhe dueli i sezonit në kaluar në “Old Traford” përfundoi 4-2 për Liverpulin.

Sfidanti.al