Kishin kaluar 56 vjet që kur kishte ndodhur për herë të fundit. Vetëm një legjendë e Ferencvaroshit dhe e futbollit hungarez si Ferenc Albert, mund të mburret se është më lart se Myrto Uzuni në historinë e këtij klubi në Europë. Me 3 golat e shënuar në portën e Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, sulmuesi i kombëtares shqiptare u bë i pari lojtar i Ferencvaroshit që e bën këtë në 56 vjet, pra në më shumë se një gjysmë shekulli. Ferenc Albert shënoi 5 gola në 1965 ndaj islandezëve të Keflavikut, dhe mbetet rekordmeni, ndërsa askush tjetër nuk ka realizuar më shumë se dy herë në një ndeshje.
Ferencvaroshi u kualifikua pas dy fitoreve të njëjta, 3-1, dhe 26-vjeçari beratas foli fillimisht për skuadrën. “U kuptuam shumë mirë si skuadër, bëmë një punë të madhe së bashku, – tha shqiptari, – një ndeshje vërtet e veçantë për mua, pasi është hera e parë që shënoj 3 gola. Nuk ishte e lehtë që t’ia shënoja Prishtinës, që është një ekip shqiptar, por kjo është detyra ime si lojtar i Ferencvaroshit. Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të shkojmë sërish në fazën e grupeve”. “Fradi shkoi përpara me fitore të dyfishtë, – shkruan gazeta kryesore sportive hungareze, “Nemzeti Sport” në pjesën e poshtme të kopertinës, ku kishte Uzunin mes lojtarëve të Prishtinës.
Një fillim i shkëlqyer i sezonit për sulmuesin kuqezi, që ende nuk dihet nëse do ta vazhdojë sezonin tek Ferencvaroshi apo do të kalojë në ndonjë kampionat tjetër. Uzuni thjesht e rinisi aty ku e kishte lënë edicionin e kaluar kur shënoi 3 gola në Champions në 9 ndeshje, njërin prej të cilëve në fazën e grupeve në stadiumin e Juventusit, ndërsa në Premier Ligën e Hungarisë pati 12 gola e 6 asistë në 26 ndeshje, duke u shpallur si lojtari më i mirë.
Sfidanti.al