Kumbulla mes Romës e Torinos, do të takohej me Berishën e Juriçin!

Nuk qenka e lehtë të stabilizohej, por ndoshta më mirë kështu. Marash Kumbulla mund të mos ketë rast që të punojë gjatë me Zhoze Murinjon, pasi trajneri i Romës po mendon ta shkëmbejë për të arritur një objektiv të madh. Synimi i klubit kryeqytetas të Serisë A është sulmuesi i Italisë dhe i Torinos, Andrea Beloti, dhe mediat italiane shkruajnë se Murinjo mund të ofrojë Kumbullën e lojtarin tjetër Milaneze, plus një shifër financiare për të realizuar synimin e tij. Kartoni i mbrojtësit të kombëtares shqiptare vlerësohet në rreth 25 milionë euro, ndërsa Beloti arrin deri në 40 milionë.

Kumbulla luajti sezonin e kaluar si i huazuar tek Roma, ndërsa Verona ra dakord që të priste për të marrë paratë sipas marrëveshjes mes klubeve. Nëse kalon tek Torino, atëherë ai do të bashkohej me portierin e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, që kreu vizitën mjekësore pak javë më parë, ndërsa u ngjit në Serinë A pasi luajti një vit në Serinë B me Spalin e Ferrarës. Po ashtu, tek Torino ndodhet lojtari i përfaqësueses së Kosovës, shqiptari tjetër Mërgim Vojvoda. Jo vetëm kaq, pasi qendërmbrojtësi 21-vjeçar do të gjente në Piemont trajnerin që kishte tek Verona, kroatin Ivan Juriç. Ishte pikërisht Juriç që i dha besim Kumbullës në 2019-2020, kur ai shpërtheu në Serinë A duke qenë një nga zbulimet e sezonit e duke u kërkuar nga Interi, Juventusi, Roma e Lacio.

Sfidanti.al