Para një jave do të kishin dashur të kishte përfunduar ndryshe. Nuk ndodhi kështu, dhe Vllaznia do të luajë nesër në orën 21:00 në “Loro Boriçi” për të përmbysur humbjen 1-3 pësuar në Bosnjë-Hercegovinë nga Shiroki Brijeg. Për më keq, trajneri Brdariç është i skualifikuar pas kartonit të kuq, ndërsa shkodranët pretenduan se u dëmtuan shumë nga arbitri. Zv. trajneri Plori mbetet optimist. “Nuk është e lehtë, por lojtarët në ndërgjegjen e tyre e dinë se rezultati i parë nuk është i drejtë, – tha ai, – nuk duam të flasim për arbitrin, por mund t’ia dalim”. Nuk dihet se çfarë do të kishin dashur më shumë shkodranët, të kishin trajnerin Brdariç apo që t’u binte një arbitër “për së mbari”!
Plori tregon sesi duhet luajtur dhe flet për tifozët. “Duhet të sulmojmë, por jo që të bëjmë aventurë, – shprehet ai, – nuk vlen vetëm skema, por edhe shpejtësia me të cilën i kryen veprimet. Tifozët kanë qenë gjithnjë një armë e fortë për ne, flet e gjithë Shqipëria. Do të jetë kapacitet i kufizuar, por atmosfera do të jetë. Mezi presim të fillojë ndeshja”. Edhe qendërmbrojtësi Mevlan Adili nuk duket më pak optimist.
Sfidanti.al